Kristian Kola, 34 vjeç, është vrarë me armë zjarri në mes të ditës, sapo kishte dalë nga një hotel ku ishte takuar me një mik.

Ngjarja ndodhi pak minuta pasi Kola kishte parkuar makinën përpara lokalit dhe ishte futur brenda për një takim të shkurtër. Ai dhe miku i tij qëndruan vetëm pak minuta, por sapo dolën së bashku jashtë, mbi Kolën u hap zjarr nga një person ende i paidentifikuar.

Autori i dyshuar ndodhej në një motor të zi të ndaluar pranë vendit të ngjarjes dhe qëlloi disa herë në drejtim të 34-vjeçarit, duke e lënë të vdekur në vend. Miku që e shoqëronte i shpëtoi breshërisë së plumbave pa asnjë dëmtim.

Burime nga policia bëjnë me dije se atentati mund të jetë kryer nga një vrasës me pagesë, pasi nuk janë shkaktuar dëme të tjera, ndonëse viktima ndodhej shumë pranë një personi tjetër dhe në një zonë me qarkullim të lartë.

Hetuesit po verifikojnë gjithashtu pistën e një bashkëpunëtori të mundshëm, që dyshohet të ketë ndihmuar autorët duke u dhënë informacion mbi lëvizjet e Kolës.

Policia ka nisur marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë. Ndërkohë, dinamika e ngjarjes është rindërtuar në pjesën më të madhe, por ende nuk ka një motiv të qartë për vrasjen.

Kristian Kola punonte në fushën e ndërtimit së bashku me të atin, me të cilin administronte një kompani ndërtimi.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të atentatit dhe identifikimin e autorëve.