Një tjetër atentat me skenar të përsëritur ka tronditur Durrësin mbrëmjen e djeshme, ku 29-vjeçari Ermir Dedja humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga armë zjarri. Viktima u dërgua në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Si në shumë raste të ngjashme më parë, autorët janë zhdukur pa lënë gjurmë dhe më pas kanë djegur automjetin që dyshohet se u përdor për atentatin. Mjeti është gjetur i shkrumbuar në fshatin Gërdec, ku brenda tij u zbulua edhe një armë zjarri, që dyshohet të jetë përdorur në krim.

Shërbimet e Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me ato të Tiranës, po punojnë për të siguruar prova dhe identifikuar autorët. Hetimet janë duke u udhëhequr nga Prokuroria, ndërsa ende nuk ka të arrestuar.

Ermir Dedja ishte një emër i njohur për policinë. Në vitin 2015 ai ishte arrestuar për trafikim droge, pasi dyshohej se kishte shitur lëndë narkotike dy shtetasve nga Hasi, të cilët do ta trafikonin në Kosovë. Ai ishte gjithashtu i përfshirë në një tjetër ngjarje të mëparshme të dhunshme.

Rrethanat e vrasjes mbeten ende të paqarta, ndërsa pista kryesore e hetimeve lidhet me të kaluarën kriminale të viktimës dhe përfshirjen e mundshme në pazare droge apo konflikte të mëparshme.