Një atentat me armë zjarri ka tronditur paraditen e kësaj të diele qytetin e Sarandës, ku një 44-vjeçar ka mbetur i vrarë. Nga të shtënat dyshohet se është plagosur edhe një kalimtar.
Viktima është identifikuar si Artan Myrtaj. Sipas të dhënave paraprake, 44-vjeçari ishte duke lëvizur në këmbë pranë ish-agjencisë së vjetër të qytetit, kur dy persona dyshohet se i kanë zënë pritë.
Autorët, të cilët raportohet se ishin të maskuar me skafandër dhe lëviznin me motor, kanë qëlluar ndaj Myrtajt dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit.
Artan Myrtaj rezulton të ketë pasur precedent penal. Në vitin 2025, ai ishte arrestuar nga Policia e Sarandës dhe akuzohej për “Përkrahjen e autorit të krimit”, në lidhje me një ngjarje plagosjeje me armë ndaj Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt.
Ngjarja e vitit të kaluar dyshohet se kishte pasur si motiv një konflikt për një pronë në vijën bregdetare të Sarandës.
Hetimet vijojnë për të zbardhur nëse atentati i sotëm ka lidhje me konfliktet e mëparshme dhe për të përcaktuar autorësinë e ngjarjes.
