Policia ka kryer hetimet për ngjarjen e rëndë me armë zjarri që ndodhi në lagjen nr. 3 të Sarandës, ku mbetën të plagosur dy shtetas nga Tirana. Si rezultat, janë shpallur në kërkim katër persona, përfshirë autorin e dyshuar të të shtënave.
Të shpallurit në kërkim janë: Erjon Canaj, Artan Murtaj, Klaus Jaçaj dhe Ramadan Zoto. Ky i fundit dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt 33-vjeçarit Gëzim Hajdaraj dhe 25-vjeçarit Ernest Lama, duke i lënë të plagosur rëndë. Sipas hetimeve paraprake, konflikti nisi për motive të dobëta dhe degradoi në përdorim të armës së zjarrit.
Pas incidentit, të plagosurit u transportuan me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhen ende nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, gjatë kontrollit të kryer ndaj Gëzim Hajdarajt, policia gjeti një pistoletë tip “Beretta” me një krehër që mbante 9 fishekë, çka solli arrestimin e tij në flagrancë për akuzën “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.
Ngjarja u regjistrua si pasojë e një sherri mes katër shtetasve nga Saranda dhe dy të rinjve nga Tirana, që fillimisht pati përplasje fizike dhe më pas përfundoi me të shtëna. Në vendngjarje, policia sekuestroi katër gëzhoja dhe armën e gjetur.
Grupi hetimor po vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e katër personave të shpallur në kërkim, ndërkohë që materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme.
