Flakët që përfshinë disa fshatra të Bashkisë së Finiqit krijuan një situatë dramatike, duke rrezikuar banesat, resortet turistike dhe qindra hektarë me ullishte. Për më shumë se gjashtë orë, banorët luftuan krah për krah me forcat zjarrfikëse për të mbrojtur shtëpitë dhe pronat e tyre, ndërsa vetëm ndërhyrja nga ajri me tre helikopterë Cougar bëri të mundur frenimin e zjarrit.
Top Channel udhëtoi në fshatrat Kostar dhe Bralat, aty ku zjarri zbriti deri pranë zonave të banuara. Flakët, të favorizuara nga era e fortë, u përhapën me shpejtësi nga zona kodrinore e Matomares drejt Kostarit, Mesopotamit dhe Vllahatit, duke detyruar autoritetet të përqendrojnë të gjitha forcat për mbrojtjen e jetës së banorëve dhe banesave. Në Kostar, momentet ishin nga më të vështirat. Flakët hynë deri në oborret e shtëpive, ndërsa banorët u përpoqën me mjete rrethanore të ndalonin përhapjen e tyre deri në mbërritjen e helikopterëve. Sipas tyre, ndërhyrja nga ajri ishte vendimtare për shmangien e një tragjedie.
Situatë problematike u shënua edhe në Mesopotam dhe Vllahat, ku forcat zjarrfikëse u vendosën pranë banesave për të penguar avancimin e flakëve. Krahas mjeteve tokësore, tre helikopterë Cougar kryen hedhje të njëpasnjëshme uji, duke bërë të mundur neutralizimin e vatrave më të rrezikshme.
Në terren ishin prefektja e qarkut, drejtori i përgjithshme i zjarrfikëseve dhe kryetaret e bashkive, të cilët thane se zjarri është shkaktuar nga shkëndija elektrike. Edhe pse rreziku për banesat është shmangur, pasojat e zjarrit mbeten të rënda. Sipërfaqe të mëdha me ullishte janë shkrumbuar, ndërsa banorët kërkojnë jo vetëm kompensim për dëmet e pësuara, por edhe masa konkrete për pastrimin e territorit dhe përmirësimin e infrastrukturës, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten./ Top Channel
