Dalan Alliaj, 36 vjeç, është i riu që u vra më armë zjarri mbrëmjen e sotme në Gjorm të Selenicës.

Policia bën me dije se kanë qenë familjarët ata që e kanë gjetur pa shenja jete, e më pas është transportuar në spitalin e Vlorës, por për fat të keq është konfirmuar i vdekur.

Mësohet se në trupin e të riut janë konstatuar 6 plumba. Ende nuk dihen rrethanat, ndërsa thuhet se i riu nga Levani kishte shkuar në Gjorm, te djali i xhaxhait të tij.

Njoftimi i policisë:

Sot, në fshatin Gjorm, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është gjetur pa shenja jete nga familjarët e tij, shtetasi Dalan Alliaj, 36 vjeç, banues në Fier. Nga veprimet paraprake, gjatë këqyrjes së trupit, i janë konstatuar plagë të dyshuara të shkaktuara me armë zjarri.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.