Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Arlind Pepën, Genc Demiron dhe Migenë Xibinakun, të akuzuar për falsifikimin e një badge-i të përdorur gjatë procesit zgjedhor të 11 majit.

Sipas dosjes hetimore, Arlind Pepa, i cili ishte vëzhgues i Partisë Socialiste në shkollën “9-vjeçare Vorë”, përdori një badge të dyshuar si të falsifikuar, që i jepte të drejtën të vepronte si vëzhgues brenda dhe jashtë qendrës së votimit. Dokumenti ishte i pajisur me vulë të KQZ-së, por pas verifikimeve, rezultoi i falsifikuar.

Hetimet çojnë te Migena Xibinaku, specialiste protokolli në KQZ, e cila dyshohet se mund të ketë qenë personi që ka vulosur dokumentin. Ajo ka deklaruar se “nuk mban mend ta ketë vulosur badge-n, për shkak të volumit të lartë të dokumenteve që i vinin për firmë dhe vulë”, duke shtuar se vula zyrtare mbahet në kasafortë dhe për të duhet autorizim.

Ndërkohë, në dosje thuhet se Arlind Pepa ka marrë badge-n nga PS, konkretisht nga Genc Demiro, i cili dyshohet se ka ndërhyrë për të siguruar dokumentin e falsifikuar. Demiro ishte personi që kishte shkuar më parë për të tërhequr manualet e përdorimit të materialeve të KQZ-së.

Ligjërisht, badge zyrtare lëshohet vetëm për punonjës të KQZ-së me kontratë pune, dhe jo për persona të jashtëm. Pavarësisht se dokumenti mbante vulën e KQZ-së, ekspertiza e konsideron atë të falsifikuar dhe të përdorur në mënyrë të paligjshme në procesin zgjedhor.

Të tre personat do të përballen me akuzat për falsifikim dokumentesh dhe përdorim të tyre në ushtrimin e procesit zgjedhor.