Një konflikt mes dy familjeve në fshatin Dedaj të Pukës ka përfunduar me plagosjen e dy personave.

Të plagosurit janë paraqitur në Spitalin e Pukës për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa ende nuk ka informacion të detajuar mbi gjendjen e tyre shëndetësore.

Pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, forca të shumta policie kanë shkuar në vendin e konfliktit për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar përgjegjësit.

Mësohet se në komisariat është shoqëruar shtetasi Fatjon Shkreli, ndërsa grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Sipas të dhënave paraprake, përplasja dyshohet se ka ardhur si pasojë e një konflikti të hershëm mes familjeve Shkreli dhe Istrefi, i lidhur me çështje pronësie.