Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 46-vjeçarit Ismet Habili, i cili u gjet i pajetë brenda automjetit të tij në zonën e “Vasil Shantos”, në Tiranë.

Sipas informacioneve paraprake, në zonë është dëgjuar vetëm një e shtënë me armë zjarri. Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të zbuluar motivet e krimit.

Një nga pistat që po verifikohet lidhet me komunikimet e fundit të viktimës. Autoritetet kanë nisur këqyrjen e telefonit të tij, ndërsa në fokus janë edhe disa probleme familjare që dyshohet se kanë shoqëruar 46-vjeçarin.

Nga të dhënat paraprake, telefonata e fundit e Habilit dyshohet se ka qenë me bashkëshorten e tij, por kjo rrethanë mbetet pjesë e verifikimeve hetimore.

Paralelisht, grupi hetimor po mbledh dhe shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi vrasja, me qëllim identifikimin e autorit dhe sqarimin e plotë të rrethanave.