Komuniteti i vogël i Montecalvolit në Itali u zgjua i tronditur në agimin e Ditës së Shën Valentinit, pas vrasjes me armë zjarri të 25-vjeçarit Kevin Muharremi, i lindur në vitin 2000 në Fucecchio. I riu humbi jetën pasi u qëllua me tre plumba teksa ndodhej në një automjet në Via della Repubblica.
Pak orë pas krimit, policia arrestoi si të dyshuar Renato Xyke, 20 vjeç, italian me origjinë shqiptare, i lindur në vitin 2005. Ai u ndalua në kilometrin 350 të autostradës, pranë Arezzos, nga patrulla të policisë rrugore të nëndegës Battifolle, ndërsa po udhëtonte drejt Romës me prindërit dhe motrën e tij, në një automjet tip Range Rover Evoque gri të errët.
Sipas hetimeve paraprake, Xyke nuk kishte me vete armën në momentin e ndalimit dhe nuk bëri rezistencë ndaj policisë. Arma e dyshuar e krimit, megjithatë, thuhet se u gjet më vonë në banesën e familjes së tij. Aktualisht ai ndodhet në Arezzo, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore të Pizës.
Një nga pistat që po verifikohet është nëse 20-vjeçari po tentonte të largohej nga vendi drejt një porti në Adriatik apo përmes një fluturimi nga Roma.
Ngjarja dyshohet të ketë nisur pas një grindjeje në një lokal në Montopoli, e cila fillimisht ka qenë verbale, por më pas është përshkallëzuar në përplasje të armatosur. Sipas rindërtimit paraprak, rreth orës 04:45 të mëngjesit, Range Rover-i i dyshuar ka ndjekur një Fiat Doblò të bardhë ku ndodhej viktima së bashku me dy persona të tjerë shoferin, një mik nga San Miniato, dhe kushëririn e tij që ishte ulur në pjesën e pasme.
Raportohet se janë dëgjuar katër deri në pesë të shtëna. Tre plumba goditën Muharremin, i cili ndodhej në sediljen e pasagjerit. Të rinjtë e tjerë, të ndihmuar edhe nga një banor i zonës që doli menjëherë pas të shtënave, tentuan t’i jepnin ndihmën e parë, por 25-vjeçari ndërroi jetë pak më vonë për shkak të plagëve të marra.
Hetuesit po analizojnë dëshmitë e mbledhura, pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e gjetura në vendngjarje për të rindërtuar me saktësi lëvizjet e automjeteve dhe dinamikën e përplasjes. Po ashtu, po verifikohet edhe roli i një personi tjetër që dyshohet se ndodhej me Xyke në momentin e të shtënave.
Prokuroria po heton motivet e plota të ngjarjes, duke shqyrtuar marrëdhëniet dhe konfliktet e mundshme mes palëve, ndërsa komuniteti lokal mbetet i tronditur nga një krim që dyshohet të ketë lindur nga arsye banale, por që përfundoi në mënyrë tragjike.
