Policia e Durrësit ka arrestuar dy persona, pasi dyshohet se drejtonin automjetin në gjendje të dehur dhe ofruan para për të korruptuar efektivët, në mënyrë që të shmangnin testin e alkoolit.
Përmes një njoftimi, Policia e Durrësit bën të ditur se në pranga kanë rënë edhe dy drejtues të tjerë automjetesh, njëri për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur dhe tjetri për drejtim automjeti pa leje drejtimi dhe nën ndikimin e alkoolit.
Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i Policisë:
Durrës-Policia Rrugore, brenda 12 orëve, godet dy raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.
Drejtonin automjetet në gjendje të dehur dhe, për të shmangur testin e alkoolit, u ofruan shuma parash punonjësve të Policisë Rrugore; vihen në pranga dy shtetas.
Në pranga edhe dy drejtues të tjerë automjetesh, njëri për drejtim automjeti në gjendje të dehur dhe tjetri për drejtim automjeti pa leje drejtimi dhe nën ndikimin e alkoolit.
Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Durrës kanë intensifikuar monitorimet me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Gjatë monitorimeve intensive, në rrugën “Adria” dhe në Sukth, janë konstatuar dy automjete që kryenin manovra të rrezikshme në rrugë dhe janë ndaluar menjëherë.
Në momentin që punonjësit e Policisë Rrugore u kanë kërkuar drejtuesve të automjeteve kryerjen e testit të alkoolit, dy drejtuesit, shtetasit Sh. D. dhe A. Sh., kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore duke ofruar shuma parash, konkretisht 2000 dhe 5000 lekë të rinj, për të shmangur kryerjen e testit të alkoolit.
Nga kryerja e testit të alkoolit për drejtuesin e automjetit në rrugën “Adria”, shtetasin Sh. D., rezultoi se drejtonte automjetin në gjendje të dehur, në masën 1.13 mg/l.
Ndërsa drejtuesi i automjetit në Sukth rezultoi se drejtonte automjetin në gjendje të dehur, në masën 0.55 mg/l.
Gjithashtu, gjatë monitorimeve në rrugën “Vllazërimi”, është konstatuar automjeti me drejtues shtetasin A. R., 44 vjeç, i cili nga testi i alkoolit rezultoi se drejtonte automjetin në gjendje të dehur, në masën 0.79 mg/l.
Po gjatë monitorimeve në rrugën “Miqësia”, është konstatuar automjeti me drejtues shtetasin H. K., 22 vjeç, i cili drejtonte automjetin pa leje drejtimi dhe nën ndikimin e alkoolit, në masën 0.55 mg/l.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Sh. D., 61 vjeç, A. Sh., 51 vjeç, A. R., 44 vjeç dhe H. K., 22 vjeç, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
