E moshuara nga Librazhdi, e cila së bashku me bashkëshortin u vendosën në gjumë nga valiumi që dhëndri iu dha për t’u marrë paratë, ka folur për Euronews Albania, duke thënë se nuk ka kuptuar asgjë nga ajo që bëri bashkëshorti i vajzës së saj.

Po ashtu, ka folur edhe vajza e saj, bashkëshortja e autorit të dyshuar, e cila thotë se nuk do ta falë burrin e saj.

Muharrem dhe Mirushe Bitroshi, pas tre ditëve në gjendje të rëndë në spital, u kthyen në banesë, ku dhëndri 36-vjeçar iu dha valium dhe më pas iu mori paratë. Muharremi, 82 vjeç, vazhdon të jetë në gjendje të paqëndrueshme.

“Erdhi dhëndri, si je, a je mirë… nuk kuptova asgjë tjetër. Nuk mbaj mend fare asgjë. Çuni erdhi nga Greqia dhe na gjeti pa ndjenja. Me dhëndrin nuk kemi pasur probleme, nuk di nga i erdhi kjo ide.”, tha Mirushe Bitroshi.

Vajza e Mirushes, bashkëshortja e autorit të dyshuar, shton se burri i saj nuk i dha asnjë shenjë dhe thekson se nuk do ta falë këtë veprim.

Ajo thotë se gjendja e tyre ekonomike ka qenë e vështirë, pasi jetojnë me qira dhe kanë fëmijë të vegjël: “Tani ai është në burg dhe më ka lënë vetëm me tre fëmijë. Do t’i shoh fëmijët tani. Nuk do ta fal më, pasi e fala një herë kur më goditi vëllain me grusht.”