Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve do të mblidhet të premten në orën 10:30 për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv.kryeministres, Belinda Balluku. Kërkesa, e firmosur nga Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, mbërriti ditën e djeshme në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Sipas kreut të PD-së, Sali Berisha, provat e dorëzuara nga SPAK po mbahen në kasafortën e Peleshit. Deputetët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve deklaruan se dy ditë para mbledhjes, Peleshi u ka vënë në dispozicion vetëm kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, por jo provat që e shoqëronin këtë kërkesë.

Mësohet se USB-ja me provat është ende në zyrën e kryetarit të Kuvendit dhe nuk është shpërndarë tek deputetët, çka ka ngritur shqetësime për transparencën dhe mundësinë e një shqyrtimi të plotë të dosjes përpara mbledhjes së Këshillit.

“Prokuroria ka dorëzuar kërkesën dhe provat, se ku e bazojnë kërkesën e tyre për arrestimin e Lubi Ballukut. Niko Peleshi ka futur provat në kasafortë dhe nuk ua jep deputetëve të opozitës, anëtarë të komisionit të verifikimit të mandateve. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Nuk ua jep sepse provat kanë gjëra të llahtarshme, të cilat e tregojnë Lubinë thjesht një shërbëtore të Edi Ramës”.