Gjashtë persona të lënduar gjatë protestës së djeshme vijojnë të marrin kujdes shëndetësor në Spitalin Universitar të Traumës. Sipas përditësimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, mes tyre janë tre kalimtarë dhe tre protestues, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Njëri prej tre kalimtarëve po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa dy të tjerët vijojnë qëndrimin në spital. Edhe tre protestuesit janë në gjendje të mirë shëndetësore. Dy prej tyre do të qëndrojnë në spital për të vijuar trajtimin, ndërsa për personin e tretë po kryhet vlerësimi mjekësor për të përcaktuar nëse ka nevojë për shtrim.

Ndërkohë, gjatë natës, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur edhe një protestues me shenja intoksikimi. Pas marrjes së trajtimit në urgjencë dhe rekomandimeve mjekësore, ai është larguar nga spitali.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve, duke garantuar vijimin e kujdesit mjekësor sipas nevojave të secilit.