Dy punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra pas publikimit në rrjetet sociale të disa videove, ku ata shfaqen duke ndërhyrë gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, në mënyrë që dyshohet se tejkalon kompetencat e tyre dhe parimin e proporcionalitetit.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ndaj dy efektivëve ka nisur edhe një hetim disiplinor për veprimet e kryera gjatë protestës.

Në reagimin e saj, Policia e Shtetit thekson se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të kompetencave nga ana e punonjësve të saj.

Policia e Shtetit:

Menjëherë pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen dy punonjës policie në tejkalim të detyrës dhe të parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dy punonjësve të Policisë, konkretisht:

Inspektor E. P. dhe inspektor T. Ç., me detyrë në Patrullën e Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.

Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për dy punonjësit e Policisë.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë.

Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve.