Elbasan


Gjyqtari Karkini: Gjyqësor i korruptueshëm, përveç meje. Avokatët: Gjyqtari zvarrit gjyqet


Gjyqtari – Avokatia në Elbasan është nën nivelet profesionale të një juristi, por është baras me një student të vitit të parë të juridikut


Avokatët – Avokatët e Elbasanit kërkojnë marrjen e masave nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ndaj Karkinit, pasi zgjat proceset gjyqësore


Silvana Muça


Gjyqtari Xheladin Karkini, i cili pati një konfrontim me avokatin Bujar Dyrmishi dy ditë më parë, akuzon rëndë të gjithë sistemin gjyqësor, duke e cilësuar si të korruptueshëm. Ai thotë se “vetëm unë jam i pakorruptueshëm”, ndërsa akuzon rëndë edhe avokatët e Elbasanit, për të cilët thotë se nuk kanë nivel profesional të mjaftueshëm, por janë baras me një student të vitit të parë. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i avokatëve të Elbasanit, të cilët kanë paralizuar punën në gjykatë, duke braktisur të gjitha seancat gjyqësore. Në “lojë” është futur edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë që ka filluar një kontroll të imtësishëm ndaj gjyqtarit Karkini, pas informacioneve dhe ankesave për moszbardhjen e vendimeve gjyqësore.


 


Reagimi i gjyqtarit


Gjyqtari Xheladin Karkini shprehet se zgjatja e proceseve gjyqësore nuk është tendencioze, duke akuzuar avokatët për mangësi profesionale në paraqitjen e kërkesëpadive. Sipas tij, një proces gjyqësor do kohën e vet të përgatitjes. Ai ka akuzuar për korrupsion të gjithë sistemin gjyqësor në Elbasan, duke thënë që avokatët janë bërë sekserë të gjyqtarëve dhe ndaj tyre janë nisur çështje penale. Në një intervistë për gazetën “Shqip” gjyqtari Karkini ka falënderuar Policinë e Elbasanit që u përgjigj në kohë, duke i ardhur në ndihmë, në mënyrë të shpejtë, duke bërë ndalimin e avokatit Bujar Dyrmishi. Ky i fundit mësohet se ka kryer veprën penale në flagrancë, dhunimin e një personi që është në vendin e punës. Pyetjes se përse avokatët ankohen për zvarritje të proceseve gjyqësore, gjyqtari i është përgjigjur duke thënë që ata nuk kanë nivel profesional juridik. “Avokatët nuk janë të ndërgjegjshëm në faktin se një zgjidhje juridike do kohën e vet që të përgatitet. Avokatia në Elbasan është nën nivelet profesionale të një juristi, por është baras me një student të vitit të parë të juridikut. Kërkesëpaditë janë të niveleve të ulëta dhe avokatët duhet të rrisin nivelin profesional”, përgjigjet Karkini, duke vijuar se “ankesat vijnë vetëm në drejtimin tim, për të vetmen arsye të moskorruptimit”. Në fund pohon se avokatët janë bërë sekserë e ndërmjetës dhe ndaj tyre ka çështje penale. “I gjithë sistemi gjyqësor është i korruptueshëm, përveç meje”, ka përfunduar gjyqtari.


 


Protesta e avokatëve


Dhoma e Avokatisë në Elbasan ka zhvilluar një protestë përpara Gjykatës së Rrethit, duke bojkotuar të gjitha seancat gjyqësore, deri në një afat të pacaktuar. Shkak për paralizimin e funksionimit të këtij institucioni kaq delikat, është bërë arrestimi i avokatit Bujar Dyrmishi, i cili goditi gjyqtarin Xheladin Karkini, pas një sherri banal. Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Elbasanit, Jani Vaso, u shpreh se ndalimi i Dyrmishit është antiligjor dhe në kundërshtim me çdo dispozitë ligjore. Vaso akuzon policinë për ushtrim dhune fizike ndaj kolegut të tyre. Nën një zë, avokatët e Elbasanit kërkojnë marrjen e masave nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ndaj gjyqtarit Xheladin Karkini, sepse në mënyrë të përsëritur ky i fundit përplaset me ata, duke penguar punën, madje e akuzojnë për zgjatjen e proceseve gjyqësore.


 


Inspektimi i KLD-së


Inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë nisur një kontroll të dosjeve të gjyqtarit Xheladin Karkini, në Elbasan. Inspektimi ka të bëjë me faktin që gjyqtari Karkini njihet nga avokatët për moszbardhjen e vendimeve gjyqësore. Sipas KLD-së, kontrollet nuk kanë të bëjnë me konfliktin që gjyqtari ka me avokatin Bujar Dyrmishi dhe që degjeneroi deri në dhunë një ditë më parë. Karkini prej vitesh është akuzuar nga qytetarët, avokatët dhe prokurorët e Rrethit të Elbasanit se nuk zbardh vendimet gjyqësore e kryesisht ato civile, të cilat arrinin edhe deri në 3 vjet.


 


Të dhëna


KLD-ja – Inspektimi ka të bëjë me faktin që gjyqtari Karkini njihet nga avokatët për moszbardhjen e vendimeve gjyqësore


Kontrolli – Nuk ka të bëjë me konfliktin që gjyqtari ka me avokatin Bujar Dyrmishi dhe që degjeneroi deri në dhunë një ditë me parë


Vendimet – Karkini prej vitesh është akuzuar nga qytetarët, avokatët dhe prokurorët e Rrethit të Elbasanit se nuk zbardh vendimet gjyqësore