Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas incidenteve të mbrëmjes, gjatë të cilave flakët përfshinë Gjykatën e Lartë, ndërsa u raportuan edhe dëmtime në hyrjen e Bankës së Shqipërisë.

Përmes një reagimi, Gogu theksoi se bëhet fjalë për dy institucione të pavarura, që nuk janë pjesë e qeverisë, por u shërbejnë vendit dhe qytetarëve.

Ministri dënoi aktet e dhunës, duke nënvizuar se e drejta për të protestuar nuk duhet të ngatërrohet me sulmet ndaj institucioneve.

“Edhe ata që protestojnë, edhe ata që janë të zemëruar me qeverinë, kanë të njëjtën të drejtë për drejtësi. Protesta është një e drejtë. Dhuna nuk është protestë”, u shpreh Gogu.

Ai falënderoi zjarrfikësit për ndërhyrjen dhe shprehu solidaritetin me gjyqtarët dhe punonjësit e Gjykatës së Lartë. Gjithashtu, konfirmoi se Ministria e Drejtësisë është e gatshme të ofrojë mbështetje brenda kompetencave ligjore, duke respektuar pavarësinë e sistemit gjyqësor.

“Njerëzit nuk duhet të paguajnë çmimin e dhunës. Dera e drejtësisë duhet të mbetet e hapur për të gjithë”, përfundoi ministri.