Një konflikt për pronën në bregdetin e Golemit, në Kavajë, ka rikthyer në vëmendje çështjen e pronave dhe historinë e 70-vjeçares Sheko Ademi, e cila pretendon se prej 3 vitesh po përballet me tentativa për tjetërsimin e pronës së trashëguar nga i ati.
Sipas saj, përplasjet janë shoqëruar me incidente të përsëritura, të dokumentuara edhe nga kamerat e sigurisë, ndërsa episodi më i fundit lidhet me pretendimet për dhunë gjatë shoqërimit nga policia.
“5 makina policie nëna. Këto zvarrë e bjer, këto duart e mija janë goditur nga shkelmat e policëve te koka. Fut e bjer e fut e bjer, a më ra të fikët s’mora vesh më. Kap një nga koka, një nga këmbët, një përplas, zvarrë më nxorën. Kam shenja në trup gjithandej”, tha Sheko Ademi
Sipas Ademit, konflikti ka kaluar kufijtë familjarë dhe tashmë është kthyer në një përballje me institucionet.
“Unë 70-vjeçare, çfarë kam vjedhur. Vjedhje në bashkëpunim, janë çuar relacionet në prokurori, çfarë janë ato. Çfarë vodha unë të keqën nëna, çfarë mund të vjedh unë, shtëpinë time? Ata po më vjedhin shtëpinë dhe pronën time dhe policia mbron hajdutët që duan të marrin pronën time”, shprehet e moshuara.
E moshuara kërkon hetim dhe drejtësi, duke u shprehur se nuk do të heqë dorë nga ajo që e konsideron trashëgiminë e saj.
“Është marrë leja e ndërtimit për tu bërë pallat. Po si i thashë unë, unë e vdekur me arkivol do dal nga shtëpia ime. Nuk dal se është shtëpija ime”, tha Ademi.
Nga ana tjetër, Drejtoria e policisë Durrës reagoi pas publikimit të videos në rrjetet sociale, duke sqaruar se bëhet fjalë për disa episode të referuara në Prokurori, që lidhen me konfliktin për pronësinë. Sipas policisë, 70-vjeçarja është shoqëruar pas dyshimeve për “shkatërrim prone me zjarr” dhe “kundërshtim të punonjësit të policisë”, ndërsa vetë ajo pretendon se është dhunuar gjatë ndërhyrjes.
Konflikti mbetet i hapur, mes pretendimeve të palëve dhe pritjes për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
