Policia e Shkodrës ka arrestuar një nga personat e dyshuar të përfshirë në dhunimin e drejtorit të AKU Shkodër, Ramir Haderi, ngjarje e ndodhur më 21 maj në lagjen “Rus”.

Në pranga ka rënë shtetasi Elis Çela, banues në lagjen “Kiras” të Shkodrës, i cili dyshohet se ka transportuar me automjet personin tjetër të përfshirë në sulm, autorin që ka goditur drejtorin me sende të forta.

Sipas policisë, Çela dyshohet se ka luajtur rol ndihmës në ngjarje, duke mundësuar largimin e autorit pas sulmit ndaj zyrtarit të AKU-së.

Ndërkohë, autoritetet kanë identifikuar edhe personin tjetër të dyshuar si autor kryesor i dhunimit, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes së 21 majit, kur drejtori Ramir Haderi u godit nga një person dhe më pas u largua nga vendngjarja. Ai ka pësuar një plagë në vetull dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore është kthyer në banesë.

Pas ngjarjes, Haderi deklaroi se nuk do të tërhiqet nga detyra e tij. Hetimet paraprake sugjerojnë se sulmi mund të ketë lidhje me funksionin e tij zyrtar, ndërsa dyshohet se autorët janë persona të paguar dhe se porositësit mund të jenë të tjerë. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.