Kukës


Familjarët e të lënduarit kërkuan ndërhyrje emergjente, por mjeku specialist vonoi për të ardhur


Mjekët shprehen se kanë denoncuar raste të tilla në polici, por nuk u kanë ardhur në mbrojtje


Ekipi i mjekëve të spitalit të Kukësit ka zhvilluar të enjten paradite një grevë njëorëshe, në shenjë proteste kundër dhunës që është ushtruar ndaj kolegut të tyre gjatë dy netëve më parë. Dhuna ndaj mjekëve në Kukës nuk është dukuri e rrallë, ndërsa rasti i fundit ka ndodhur gjatë natës, duke u gdhirë dita e enjte, kur disa të afërt të një pacienti kanë kërcënuar dhe sharë mjekun roje Mustaf Mustafa në repartin e urgjencës. Ngjarja ka ndodhur aty rreth orës 01.00 kur është paraqitur në urgjencë një 30-vjeçar i dëmtuar në fytyrë nga shpërthimi i një detonatori në një rast dasme. Duke qenë se pacienti kishte dëmtuar rëndë njërin sy, kirurgu ka njoftuar mjekun specialist, i cili ka qenë duke fjetur në shtëpi. Siç duket, specialisti është vonuar ndërsa të afërmit e pacientit, 5-6 persona të irrituar dhe të pirë, i janë vërsulur mjekut kirurg me të shara dhe shtyrje fizike, duke e detyruar të ndërhynte, pa pritur specialistin. I ndodhur nën presionin e dhunës, mjeku Mustafa, një nga më të vjetrit në vend, i cili ka plot gjysmë shekulli që shërben si kirurg shumë i njohur, ka njoftuar policinë e rendit. Menjëherë pas denoncimit, agresorët janë larguar në drejtim të paditur, bashkë me pacientin dhe ende nuk dihet as identiteti i tyre, ose të paktën nuk bëhet publik.


Me mjekun e dhunuar janë solidarizuar edhe mjekët e tjerë të spitalit, të cilët tregojnë se po bëhen pre e dhunës dhe e shantazheve nga persona të papërgjegjshëm dhe i kërkuan policisë të marrë masa ndaj tyre. Pediatrja Hasije Zeneli tha se prej kohësh ndihet e pasigurt në punë nga presioni që bëjnë njerëzit e rrugës. “Persona pijanecë apo të papërgjegjshëm na bëjnë presion dhe nuk jemi të lirë për t’u shërbyer pacientëve”, tha ajo, duke shtuar se edhe pse në spital ka roje private dhe në qytet ka polici, ata ndiheshin të pambrojtur.


Edhe mjeku E. Kovaçi tha se në spital ka dhunë dhe se policia nuk ka marrë masa kundër keqbërësve. “Kam denoncuar rastin e dhunës në polici dhe më kanë thënë se nuk përbën një flagrancë, nuk të ka vrarë, vetëm të paska shtyrë, prandaj shko në gjykatë”, tha mjeku, duke shprehur pasigurinë e tij dhe distancën e madhe që po thellohet gjithnjë mes mjekut dhe të afërmve të pacientëve. Më herët edhe mjeku Mark Nufi, shefi i Pavijonit të Infektivit është përballur me dhunën, më saktë me kërcënimin e pistoletës nga një efektiv policie, jo në detyrë. Por edhe rasti i tij i denoncimit u pajtua me ndërmjetësimin e familjarëve.


Mjekët paralajmëruan se, nëse nuk ndalohen keqbërësit, do të bojkotojnë punën, duke lënë në funksion shërbimin mjekësor vetëm për rasteve urgjente. Me shqetësimin e mjekëve është solidarizuar edhe drejtoria e spitalit, e cila, sipas nëndrejtoreshës Lume Elezi, mjekët kanë të drejtë të protestojnë për ndalimin e dhunës ndaj tyre dhe për rastin e në fjalë do të njoftojë edhe Ministrinë e Shëndetësisë për të influencuar tek institucionet e tjera për zgjidhjen e problemit të tyre. Ata treguan se vetëm gjatë vitit të fundit kishte pasur të paktën gjashtë raste të dhunës së personave të ndryshëm ndaj mjekëve në këtë spital. S. Dida