Gjykata e Vlorës ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Elvis Kosovën, i cili u arrestua në Palasë për shkak se dhunoi bashkëshorten.

Kosova, i njohur edhe si “Visi i Garave”, u arrestua pas një konflikti familjar dy ditë më parë. Në Palasë teksa qëndronte për pushime, ai dyshohet se ka dhunuar dhe ka kanosur me armë bashkëshorten e tij. Policia njofton se ka marrë njoftimin rreth orës 13:40 për një konflikt familjar, i cili kishte përshkallëzuar dhe për këtë u kërkuan forca shtesë policie, si Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia e Fierit. Policia thotë se në vilën e kompleksit në zonën e Palasës gjeti një pistoletë të fshehur te tubat e ujit, ndërsa gjatë kontrollit që u bë në banesën e Elvis Kosovës në Tiranë u gjetën edhe dy pako me municion luftarak dhe dy krehra me fishekë. Elvis Kosova, 40-vjeçar, njihet si biznesmen në fushën e shitblerjes së automjeteve dhe zotëron edhe një biznes për makina me qira.

Njoftimi i policisë për ngjarjen:

Palasë/ Dhunoi dhe kanosi bashkëshorten, arrestohet në flagrancë 40-vjeçari. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, tre krehra dhe municion luftarak.

Rreth orës 13:40 është marrë njoftim për një konflikt familjar në një vilë të një kompleksi në zonën e Palasës. Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Patrullës së Zonës, të cilat kanë konstatuar një situatë të përshkallëzuar. Për përballimin dhe neutralizimin e situatës janë angazhuar edhe forca shtesë të Stacionit të Policisë Dhërmi. Shërbimet e Policisë, gjatë ndërhyrjes në banesë, kanë gjetur një armë zjarri, pistoletë. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës në Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Policia gjeti dhe sekuestroi, në cilësinë e provës materiale, dy pako me municion luftarak dhe dy krehra me fishekë

Nga verifikimet paraprake rezulton se shtetasi E. K. dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur bashkëshorten e tij. Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe në kohë të shërbimeve të Stacionit të Policisë Dhërmi, situata është neutralizuar dhe është parandaluar përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit, duke shmangur një ngjarje potencialisht të rëndë kriminale. Shtetasi E. K. është arrestuar në flagrancë dhe është shoqëruar nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, në ambientet e Policisë, ndërsa po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale për dokumentimin e plotë të rastit.