Një i ri shqiptar është vënë në pranga nga policia greke në Pylos, pasi akuzohet për dhunë ndaj një berberi dhe dëmtim të automjetit të tij.

Sipas autoriteteve lokale, ngjarja ka ndodhur më 7 shkurt, kur 25-vjeçari kishte shkuar fillimisht në berberhanen e një 51-vjeçari për t’u qethur. Pas përfundimit të shërbimit, ai është larguar, por më pas është kthyer sërish në ambientin e biznesit.

Në rikthim, i riu dyshohet se ka nisur të ofendojë pronarin e berberhanes, ndërsa më pas e ka goditur me një shkop, duke i shkaktuar dëmtime fizike. Përveç kësaj, ai ka dëmtuar edhe automjetin e 51-vjeçarit.

Policia ndërhyri menjëherë dhe bëri arrestimin e 25-vjeçarit, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar motivet dhe rrethanat e plota të konfliktit.