Një 40-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Palasë, pasi dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur bashkëshorten e tij gjatë një konflikti familjar.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:40, në një vilë brenda një kompleksi në Palasë, ku Policia është njoftuar për konfliktin.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Patrullës së Zonës, ndërsa për menaxhimin e situatës janë angazhuar edhe forca shtesë të Stacionit të Policisë Dhërmi.

Gjatë ndërhyrjes në banesë, efektivët kanë gjetur një pistoletë. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së 40-vjeçarit në Tiranë, policia ka sekuestruar edhe dy pako me municion luftarak dhe dy krehra me fishekë.

Sipas verifikimeve paraprake, shtetasi me inicialet E. K. dyshohet se ka ushtruar dhunë dhe ka kanosur bashkëshorten.

Ndërhyrja e menjëhershme e forcave të Policisë bëri të mundur neutralizimin e situatës dhe parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

40-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, në ambientet e Policisë. Ndërkohë, vijojnë veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.

NJOFTIMI:

Palasë/ Dhunoi dhe kanosi bashkëshorten, arrestohet në flagrancë 40-vjeçari.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, tre krehra dhe municion luftarak.

Rreth orës 13:40 është marrë njoftim për një konflikt familjar në një vilë të një kompleksi në zonën e Palasës.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Patrullës së Zonës, të cilat kanë konstatuar një situatë të përshkallëzuar. Për përballimin dhe neutralizimin e situatës janë angazhuar edhe forca shtesë të Stacionit të Policisë Dhërmi.

Shërbimet e Policisë, gjatë ndërhyrjes në banesë, kanë gjetur një armë zjarri, pistoletë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës në Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Policia gjeti dhe sekuestroi, në cilësinë e provës materiale, dy pako me municion luftarak dhe dy krehra me fishekë.

Nga verifikimet paraprake rezulton se shtetasi E. K. dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur bashkëshorten e tij.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe në kohë të shërbimeve të Stacionit të Policisë Dhërmi, situata është neutralizuar dhe është parandaluar përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit, duke shmangur një ngjarje potencialisht të rëndë kriminale.

Shtetasi E. K. është arrestuar në flagrancë dhe është shoqëruar nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, në ambientet e Policisë, ndërsa po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale për dokumentimin e plotë të rastit.