Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia këngëtarin Jozefin Marku, i njohur si Jozi, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

E njëjta masë u vendos edhe për Kristjan Nikollin, i cili dyshohet se drejtonte automjetin e përdorur gjatë ngjarjes. Gjykata rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës, e cila kishte kërkuar masën “arrest me burg” për të dy të dyshuarit.

Marku dhe Nikolli u arrestuan pas publikimit në rrjetet sociale të pamjeve ku 26-vjeçari Eduart Kuçi shfaqej duke u dhunuar nga disa persona pranë mbikalimit të Rinasit.

Sipas policisë, të dyshuarit i kishin bërë shenjë Kuçit të ndalonte, duke përdorur një tabelë policie, dhe më pas e kishin goditur. Dyshohet se konflikti kishte nisur për shkak të disa ofendimeve të bëra më herët në rrjetet sociale.

Jozefin Marku po hetohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.

Në lidhje me ngjarjen, autoritetet kanë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë të përfshirëve.