René Rexhepi, shefi i njohur i kuzhinës dhe bashkëthemelues i restorantit me famë botërore Noma në Kopenhagë, ka njoftuar dorëheqjen e tij pas akuzave për abuzim fizik dhe psikologjik ndaj stafit. Largimi i tij vjen pasi gazeta amerikane The New York Times publikoi një investigim ku përshkruheshin pretendime serioze mbi sjelljen e tij gjatë viteve në drejtimin e restorantit.
Rexhepi, me origjinë shqiptare, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale duke pranuar se periudha e fundit ka sjellë diskutime të rëndësishme mbi kulturën e punës në Noma dhe rolin e tij si drejtues. Ai theksoi se, ndonëse restoranti ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar ambientin e punës ndër vite, këto ndryshime nuk mund ta fshijnë të kaluarën dhe se ai mban përgjegjësi për veprimet e tij.
Pas më shumë se 20 vitesh në krye të Noma-s, Rexhepi ka vendosur të largohet për t’i hapur rrugë drejtimit të ri të ekipit. Ai bëri të ditur gjithashtu se ka dhënë dorëheqjen edhe nga bordi i organizatës jofitimprurëse MAD, të cilën e kishte themeluar në vitin 2011.
Në mesazhin e tij, ai u shpreh se ekipi aktual i Noma-s është më i fortë se kurrë dhe se restoranti do të vazhdojë aktivitetin, përfshirë projektin e rezidencës në Los Angeles, që pritet të jetë një moment i rëndësishëm për prezantimin e vizionit dhe kreativitetit të tyre.
Dorëheqja e shefit të famshëm vjen në një kohë kur disa partnerë të rëndësishëm, përfshirë American Express dhe kompaninë e mikpritjes Blackbird, kanë ndërprerë bashkëpunimin me Noma përpara hapjes së planifikuar në SHBA. Investigimi i The New York Times, i bazuar në dëshmitë e 35 ish-punonjësve, përshkruan një klimë pune të karakterizuar nga ndëshkime fizike dhe presion psikologjik, duke përfshirë intimidim, turpërim publik dhe kërcënime që lidhen me karrierën dhe familjet e stafit.
