Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës, ku është dhunuar fizikisht një 61-vjeçar.

Sipas burimeve zyrtare nga policia, i plagosur ka mbetur Kozma Kukli, punonjës pastrimi në Bashkinë e Vlorës. Ai është sulmuar me sende të forta nga dy persona, të identifikuar si Ermal Sakaj 37 vjeç dhe Kaludio Nurçaj 30 vjeç, të dy me precedentë penalë.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti të çastit. Të dy autorët kanë deklaruar në polici se Kukli u përplas me biçikletë në derën e furgonit të tyre dhe më pas i ka ndjekur. Sipas tyre, ky ka qenë edhe shkaku i konfliktit që përfundoi në dhunë.

Policia e Vlorës po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të secilit person të përfshirë.