Ish-presidenti Ilir Meta, ka dënuar nga burgu sulmin ndaj avokatit të tij, Kujtim Cakrani, i cili u dhunua nga dy të rinj në Vlorë.

Në një reagim në Facebook, Meta u shpreh se nuk është hera e parë që sulmohen avokatët, ndërsa thekson se vendi është në një regjim ku ata konsiderohen jo vetëm të panevojshëm, por edhe problematikë. Kreu i Partisë së Lirisë, u bën thirrje autoriteteve që autorët të identifikohen dhe të vendosen para ligjit sa më shpejt.

“Dënoj me ashpërsi sulmin ndaj Avokatit Kujtim Cakrani nga dy banditë, të cilët jo vetëm duhet të identifikohen, por edhe të vendosen para ligjit sa më shpejt. Nuk është hera e parë, që sulmohen avokatët sepse jetojmë në një regjim ku ata konsiderohen jo vetëm të panevojshëm, por edhe problematikë. Solidaritetin tim të plotë me Avokatin Cakrani, me familjen e tij, si edhe me të gjithë kolegët!”, shkruan Meta.

Si ndodhi ngjarja? 

Avokati dhe mbrojtësi ligjor i Ilir Metës, Kujtim Cakrani është dhunuar ditën e sotme rreth orës 13:30 në ambientet e një karburanti në qytetin e Vlorës. Cakrani është goditur pas një konflikti të çastit me disa persona të cilët mbeten ende të paidentifikuar. Avokati është dërguar në spitalin e Vlorës aty ku po merr mjekimin e duhur. Ai u shpreh se dy persona të panjohur për të e kanë ofenduar dhe më pas e kanë sulmuar në momentin që ai po furnizohej me karburant. Ndërkohë, Policia e Vlorës ka reaguar ndaj dhunës së avokatit duke njoftuar se automjeti me të cilin u larguan dy dhunuesit e dyshuar është identifikuar. Sipas tyre, ngjarja dyshohet se ka të bëjë me pozicionimin e automjetit në pikën e furnizimit dhe bllokimin e mjeteve të tjera, ndërsa avokati Cakrani shprehet se nuk beson se ky ka qenë shkaku i vërtetë.