Policia ka proceduar penalisht 8 adoleshentë, të cilët dyshohet se dhunuan një turist italian disa ditë më parë në tiranë. Ngjarja ndodhi pranë Pallatit të Kulturës dhe u denoncua fillimisht me video të publikuara në rrjetet sociale.

Sipas policisë, të miturit, të moshës 13-15 vjeç dyshohet se kanë qenë të përfshirë në përplasjen fizike, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar. Vetë i riu dhe dy shokët që e shoqëronin në momentin e ngjarjes nuk pranuan të kryenin denoncim apo të jepnin detaje mbi rrethanat që çuan në konfliktin e dhunshëm.

Njoftimi i policisë:

Identifikohen, shoqërohen dhe procedohen penalisht 8 të mitur, të moshës 13-15 vjeç, për plagosjen e lehtë të një shtetasi italian 20 vjeç. Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, lidhur me rastin e ndodhur pranë Pallatit të Kulturës, më datë 29.07.2026, ku mbeti i dëmtuar lehtë një 20-vjeçar italian, ju informojmë se: Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, të kryera menjëherë pas konfliktit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë të mundur identifikimin, shoqërimin dhe procedimin në gjendje të lirë të 8 shtetasve të mitur, të moshës 13-15 vjeç, të dyshuar si të përfshirë në konflikt, gjatë të cilit 20-vjeçari italian pësoi lëndime të lehta trupore. Puna vijon për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar si të përfshirë në konflikt, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.