Dy automjete janë përfshirë nga flakët gjatë natës në Elbasan, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka dëmtuar pjesën e përparme të një automjeti tip “Audi”, ndërsa një tjetër mjet tip “Volkswagen” është shkrumbuar plotësisht.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se të dy automjetet janë në pronësi të shtetasit Egli Hazisllari.
Pas njoftimit, në zonë kanë ndërhyrë menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe efektivët e Policia e Shtetit, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe izolimin e perimetrit për të shmangur rrezikun e përhapjes së zjarrit.
Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha, veçanërisht për automjetin “Volkswagen”, i cili është djegur tërësisht.
Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe po heton nëse zjarri është shkaktuar nga defekt teknik, incident aksidental apo një veprim i qëllimshëm. Gjithashtu po verifikohen edhe kamerat e sigurisë në zonë.
