Një tjetër rast i djegies së gomave dhe kabllove është regjistruar këtë të premte pranë urës mbi lumin Mat, në segmentin rrugor Milot–Lezhë, duke rikthyer shqetësimin për ndotjen e ujit dhe ajrit.

Djegia ka shkaktuar tym të dendur, qe shihet ne kete pjese te lumit dhe verehet ndjeshem nga drejtuesit e mjeteve. Ky fenomen është i përsëritur dhe prej kohësh mbetet një problem serioz për shëndetin dhe mjedisin.

Rasti vjen vetëm pak ditë pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit në të njëjtën zonë, ku dy persona u proceduan penalisht pasi u kapën në flagrancë duke djegur kabllo pranë brigjeve të lumit Mat. Më herët, policia ka shpallur në kërkim nje person për raste të ngjashme, duke dëshmuar se fenomeni vijon pavarësisht masave ligjore. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të tillë, ndërsa pritet rritje e kontrolleve për të parandaluar përsëritjen e këtyre ngjarjeve që dëmtojnë mjedisin dhe rrezikojnë sigurinë publike.