Tre furra artizanale për prodhimin e gëlqeres janë shembur nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në zonën e Krastës, në Krujë.
Sipas IKMT-së, ndërhyrja është kryer pas një denoncimi për aktivitetin e këtyre strukturave, ku dyshohej se për djegie përdoreshin goma dhe mbetje plastike.
Pas marrjes së informacionit, inspektorët kryen verifikimet në terren dhe konstatuan funksionimin e furrave, duke vijuar më pas me aksionin për prishjen e tyre.
Tre strukturat artizanale u shembën nga mjetet e IKMT-së, ndërsa materialet e mbledhura gjatë ndërhyrjes i janë përcjellë Policisë së Shtetit.
Autoritetet pritet të vijojnë hetimet për identifikimin e personave që lidhen me aktivitetin dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore.
