Dibër
CEZ thotë me bindje se dritat u janë hequr vetëm konsumatorëve që janë borxhlinj
Të paktën prej 1 muaji banorët e fshatit Lishan i Poshtëm në Komunën e Luznisë, të rrethit Dibër, kanë mbetur në terr. Shkak për këtë është bërë djegia e transformatorit në kabinën elektrike të këtij fshati. Mbi 65 familje të këtij fshati edhe pse janë pagues të rregullt të faturave të energjisë elektrike, kanë mbetur pa energji. Pagesat e faturave periodike prej tyre nuk janë marrë në konsideratë nga ana e CEZ-shpërndarje për të bërë riparimin e transformatorit në kabinën elektrike ose zëvendësimin e tij me një tjetër. Sipas kryetarit të këtij fshati, Gëzim Murati, mësohet se prej 1 muaji kur dhe fshati ka mbetur pa drita, askush nuk është interesuar për zgjidhjen e këtij problemi edhe pse kemi trokitur në shumë dyer. Në zyrat lokale të CEZ-shpërndarje janë mjaftuar duke na thënë se problemin e zëvendësimit të transformatorit të djegur e kemi relatuar pranë kompanisë jemi në pritje të zgjidhjes së tij, thotë kryeplaku i fshatit. Krahas gjithë problemeve të tjera, mungesa e energjisë ka ndikuar edhe në bërjen e mësimeve nga fëmijët e këtij fshati.
Gjatë muajve të verës, kompania CEZ ndërmori disa aksione në rang vendi, duke stakuar linjat energjetike dhe ku shumë banorë mbetën pa drita. Shkaku lidhet me mospagesën e faturave të energjisë, që sipas CEZ, po i shkakton probleme financiare. Por shumë banorë, kryesisht në zonat rurale dhe ato informale ankohen për kufizime të padrejta dhe kolektive, sikurse ka plot të tjerë që thonë se tensioni i dobët i rrymës po shkakton dëme te pajisjet elektroshtëpiake.
CEZ thotë me bindje se dritat u janë hequr vetëm konsumatorëve që janë borxhlinj në masën 100 për qind, dhe se janë trajtuar të gjitha mundësitë e shlyerjes me këste, por nuk kanë pranuar.
H.L