Shkrimtari dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, ka reaguar me shqetësim dhe dhimbje ndaj mënyrës se si është pritur në rrjetet sociale lajmi i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Përmes një reagimi të gjatë, Prençi shprehet se është tronditur nga komente të mbushura me urrejtje, përçmim dhe deri te lavdërimi i autorit të krimit, duke e konsideruar këtë një përmbysje të frikshme të moralit dhe logjikës njerëzore.

“Mbeta i tronditur dhe i lënduar. Një valë urrejtjeje e pashpjegueshme ndaj gjyqtarit të ndjerë. Një krenari e çuditshme për vrasësin. Një përmbysje e frikshme e logjikës njerëzore”, shkruan ai.

Ai e quan të papranueshme që në ditët e mortit, në vend të heshtjes dhe respektit për të ndjerin, rrjetet sociale të shndërrohen në fushëbeteja urrejtjeje, ku fjalët e rënda derdhen pa asnjë mendim apo ndjeshmëri njerëzore.

“Dikur, edhe hasmi ndalte fjalën para mortit. Sot, të vdekurit fyehen në ditën e varrimit, në sy të familjes. Kjo liri pa kufij është kthyer në shpatë që pret çdo ndalim moral”, vijon Prençi.

Ai e pranon se zemërimi qytetar për sistemin e drejtësisë është i madh dhe shpesh i justifikuar, por e konsideron të gabuar që ky revoltë të derdhet mbi një individ që nuk mund të mbrohet më.

“Kush është zhgënjyer nga drejtësia, të mos e kërkojë fajtorin tek ai që ka ikur nga kjo botë. Sepse ai s’mund të përgjigjet më. Sepse nuk ishte ai sistemi”, thekson ai.

Prençi bën të ditur se ka pyetur prokurorë, gjyqtarë dhe avokatë për figurën e Astrit Kalasë dhe të gjithë, sipas tij, kanë dhënë të njëjtën përgjigje.

“I qetë, i ndershëm, i përkushtuar. Një qytetar shkodran tipik, me fjalë pak dhe me maturi të admirueshme. Një njeri që e shihte drejtësinë si shërbim, jo si pushtet.”, tha ai.