Tre vite më parë, Teadria Hasankolli, një vajzë vetëm 14 vjeçe, përjetonte dhimbje të padurueshme. Skolioza po i përkulte trupin, po i rrënonte shpresat.

Çdo ditë ajo përsëriste të njëjtën pyetje: “Pse unë, o Zot? Pse më zgjodhe mua që ta kisha këtë sprovë”.

Por sot Teadria nuk e bën më këtë pyetje, sepse është rikthyer në studion e ‘Për Shqiptarët’ e shëruar dhe më e fortë se kurrë.

“Çdo ditë mendoja pse Zoti më zgjodhi mua që ta kisha këtë sprovë, por sot e mendoj ndryshe. Mendoj se Zoti i do njerëzit e unë kam qenë një nga ata që Zoti më do”, thot Teadria.

Falë bamirësve shqiptarë që u bënë bashkë për të, Teadria kreu një ndërhyrje që ia shpëtoi jetën nga rreziku i skoliozës. 3 vite kaluan shpejt e sot Tea është shëndoshë e mirë, ndjek pasionin e saj të madh, studion e mbi të gjitha, bart me vete disa mesazhe shpresëdhënëse.

“Skolioza më shoqëroi që fëmijë, më bëri të ndjehesha ndryshe nga tjerët. Por sot jam këtu, e drejtë dhe me besim tek vetja. Skolioza nuk më mundi. Të jesh i drejtë pas një kohe aq të gjatë, është si të marrësh frymë lirisht për herë të parë. Kur dola nga operacioni unë isha shumë e lumtur.

Se kisha imagjinuar ndonjëherë, por dukej si ëndërr… ëndërr e bukur. Operacioni ishte i vështirë, por sot jam drejt, ndihem si e rilindur. Ajo shenjë që më ka mbetur më pëlqen, është shumë e bukur sepse tregon se ke kaluar diçka.

Dikur mendoja se nuk do të isha kurrë si shoqet e mia, por sot jo vetëm që jam e drejtë, por edhe shumë e fortë. Unë merrem me pikturë. Them të vijoj shkollën e lartë, të bëj krenar prindërit. Operacioni më mësoi të mos dorëzohem kurrë. Dua ti them çdo vajze a djali që ka skoliozë, se ka shpresë edhe kur duket e pamundur”, thotë Teadria.

E ëma e saj ka treguar momentet e vështira kur e mori vesh për sëmundjen e Teadrias.

“Jeta e Teas ka qenë shumë e trishtuar më parë. Ishte e lodhur, e munduar. Ngjiste shkallët e lodhej shpejt. Ishte e deformuar, i doli një gungë. Rrezikonte që skolioza t’i kapte organet e brendshme. Me vete thoja, a do jetojë, a do t’ja dalë dot?”, tregon e ëma e saj.

“Por ndodhi mrekullia. Na trokiti fati në derë, të gjithë shqiptarët u mblodhën për ne. Operacioni ishte i vështirë, por kur doktori na tha, Tea gëzon shëndet të plotë. Për momentin u habita, kur e pashë, thoja a është Tea ime kjo? Vajza ishte zgjatur.

Unë i falenderoj të gjithë shqiptarët që ia mundësuan këtë vajzës sime. Unë jam shumë e lumtur, që ajo sot rritet me buzëqeshjen e saj të mrekullueshme dhe ndjek ëndrrat e saj”, thotë nëna e Teas.