Administrata e Trump po përpiqet të ekstradojë Blerim Skoron, një 55-vjeçar shqiptar me origjinë nga Kosova dhe baba i tre fëmijëve, i cili pretendon se ka shërbyer si agjent i fshehtë i CIA-s duke u infiltruar në Al-Kaeda pas ngjarjeve të 11 shtatorit.
Sipas “ABC News”, Skoro u arrestua nga agjentët e Imigracionit dhe Doganave (ICE) jashtë një zyre imigracioni në Nju Xhers, ku po rinovonte dokumentet e tij. Pas arrestimit, avokatët e tij dërguan një kërkesë urgjente në gjykatën federale për të bllokuar dëbimin, duke argumentuar se qeveria amerikane i kishte premtuar leje qëndrimi të përhershme për shërbimet e tij të rëndësishme në mbrojtje të sigurisë kombëtare.
Sipas dosjeve gjyqësore dhe dokumenteve të FBI-së, bashkëpunimi i Skoros me inteligjencën amerikane nisi gjatë vuajtjes së dënimit për trafik droge në vitin 2000, një krim ku ai pretendon se ra pasi po luftonte për të mbajtur familjen e tij refugjate pas largimit nga konflikti në Kosovë.

Pas sulmeve të 11 shtatorit, ai u rekrutua nga inteligjenca për të mbledhur informacione mbi grupet radikale islamike, duke ndihmuar në sigurimin e arrestimeve të figurave të rëndësishme të Al-Kaedës, Al-Shabaab dhe Hezbollahut, si dhe duke parandaluar komplotin e një “bombe të ndyrë” me uranium në Kosovë.
Marrëdhënia e tij me shërbimet secret përfshiu misione me rrezik të lartë jashtë vendit nga viti 2007 deri në 2009, ku ai udhëtoi në kampet e trajnimit në Siri, Liban, Jordani dhe Pakistan. Mbulesa e tij përfundimisht u zbulua, çka çoi në një atentat ku ai mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë përpara se të rihynte në SHBA në vitin 2014.
Histori të tilla të veprimtarisë së tij janë pasqyruar edhe në dokumentarin e vitit 2024 “The Accidental Spy” dhe në një intervistë në kanalin e njohur Shawn Ryan Show. Pavarësisht se në vitin 2022 një gjykatës federal i dha atij mbrojtje nga deportimi sipas Konventës Kundër Torturës për shkak të rrezikut të eliminimit fizik nga rrjetet terroriste nëse kthehet në Kosovë, ICE e ndaloi atë pa marrë miratimin e gjyqësorit.
Nga qendra e paraburgimit, Skoro shprehu tronditjen e tij për atë që e cilësoi si tradhti nga shteti amerikan, ndërsa mbrojtja e tij ligjore kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të gjykatës për të ndaluar transferimin e tij.

