Edhe pse jemi në pranverë, javën e ardhshme, pritet përkeqësim i motit në vendin tonë ku nuk do të mungojnë reshjet e shiut në formën e shtrëngatave me rrufe, si dhe reshjet e borës në verilindje.

Lajmi bëhet i ditur nga Sherbimi Meteorologjik Ushtarak.

“Java do të nisë me mot të qendrueshëm me diell e vranësira hera herës mesatare e lokalisht të dendura. Prej ditës së martë e deri ditën e enjte vendi do të jetë në ndikim të kalimeve frontale. Kështu moti parashikohet kryesisht i vranët e hera herës me intervale kthjellimesh.

Reshjet e shiut do të jenë të pranishme në intensitet të ulët e ndërsa të mërkurën në pjesën bregdetare e në veriperëndim edhe në formën e shtrëngatave me rrufe. Dëbora do të rikthehet në male në verilindje. Prej së enjtes pasdite situata vjen në përmirësim.”, njofton Sherbimi Meteorologjik Ushtarak.

Era do të fryjë nga juglindja e të mërkurën në mesditë kthen nga veriperëndimi mesatare e përkohësisht e vrullshme përgjatë brigjeve detare.

Valëzimi në det parashikohet i forcës 3-5 ballë./Gazeta SHQIP