Banorët e fshatit Orgjoc, në njësinë administrative Zapod të Kukësit, po përballen me kushte të vështira infrastrukturore, ndërsa afrimi i dimrit shton shqetësimet për lëvizjen dhe lidhjen me qytetin.

Rruga që lidh fshatin me Kukësin është ende e paasfaltuar dhe, për më tepër, nuk ka as mirëmbajtjen minimale. Një situatë që vështirëson çdo ditë qarkullimin e banorëve dhe rrezikon t’i lërë ata të izoluar me ardhjen e reshjeve të shiut dhe dëborës.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet, duke theksuar se, në mungesë të investimeve për asfaltimin e rrugës, të paktën duhet të sigurohet mirëmbajtja e saj.

“Rruga është katastrofë. Kërkojmë një përmirësim të rrugës. Të paktën, nëse nuk mundet fadroma, njësia administrative Zapod të vendosë një mirëmbajtës”, shprehen ata.

Sipas banorëve, gjatë dimrit të kaluar kanë qenë të detyruar të përdorin automjete me zinxhirë për të përshkuar këtë aks. Madje, situata është bërë edhe më problematike në rastet kur është dashur të transportohen persona të sëmurë apo të përballen me urgjenca shëndetësore.

Pa asnjë ndërhyrje dhe mirëmbajtje, rruga rrezikon të bëhet e pakalueshme me nisjen e reshjeve të dendura, ngricave dhe dëborës, duke shtuar frikën e izolimit të dhjetëra familjeve në këtë zonë.