Detaje të reja janë zbuluar mbi plagosjen me armë zjarri që ndodhi në orët e para të mëngjesit në hyrje të Beratit, në zonën e njohur si “Dogana”. Fillimisht rrethanat ishin të paqarta, por pas kqyrjes së kamerave të sigurisë nga grupi hetimor, është rindërtuar dinamika e plotë e ngjarjes.
Sipas pamjeve, i plagosuri Fabjel Toska (Xhindi), 37 vjeç, po udhëtonte me një automjet Seat së bashku me një shok, në aksin Kombinat–Dimal. Në të njëjtën kohë, një fuoristradë e zezë parakalonte disa herë mjetin e tyre. Pas manovrave të përsëritura, Toska del nga makina dhe i afrohet fuoristradës nga ana e shoferit për të sqaruar situatën.
Në momentin që shoferi i fuoristradës hap xhamin, ai e qëllon Toskën me një plumb në bark. Shoku i të plagosurit, i cili kishte dalë nga mjeti, largohet me vrap kur sheh që Toska bie në tokë dhe njofton menjëherë policinë.
Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të ngjarjes.
