Një zhvillim i ri ka dalë në dritë lidhur me vrasjen makabre të Ilaria Sulës, 22-vjeçares që u vra më 26 mars në Romë nga i dashuri i saj, Mark Samson, 23 vjeç. Sipas hetimeve të fundit, nëna e autorit të dyshuar, Nors Manlapaz, dyshohet se ka ndihmuar në pastrimin e dhomës ku ndodhi krimi, duke fshirë gjakun dhe zhdukur gjurmët me lecka dhe detergjent.

Sipas raportimeve të “Il Messaggero”, Prokuroria e Romës e ka akuzuar atë për bashkëpunim në fshehjen e një kufome, krim i rënduar nga tentativa për të fshehur një vrasje të qëllimshme. Edhe pse më parë pa precedent penal, Manlapaz rrezikon dy vjet burg, me mundësinë për dënim me kusht nëse gjykata miraton marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Sipas Prokurorisë, Mark Samson ka vepruar me paramendim dhe gjendje të ftohtë emocionale. Ai dyshohet se ka rrahur fillimisht të dashurën e tij në banesën e tyre në Via Homs, lagjja Africano në Romë, dhe më pas e ka goditur tre herë me thikë buke në qafë, duke i shkaktuar vdekjen.

Pasi e vrau, ai thuhet se e futi trupin në një karrocë dhe e transportoi deri në një zonë të shkretë pranë Capranica Prenestina, ku e hodhi nga një shkëmb për të fshehur trupin.

Hetuesit kanë zbuluar mesazhe të shumta që tregojnë se Samson kishte shfaqur shenja të qarta të dhunës dhe kërcënimeve që javë përpara krimit. Në një prej tyre, ai kishte shkruar:

“Nëse ajo nuk kthehet tek unë, do ta vras.”

Dyshohet se krimi u nxitur nga xhelozia ekstreme, pasi mëngjesin e ditës së ngjarjes, Ilaria kishte marrë një mesazh të afeksionit nga një djalë tjetër. Ky detaj mendohet të ketë qenë shkaku i menjëhershëm i shpërthimit vrasës.

Seanca për Nors Manlapaz është caktuar për 10 nëntor, ku pritet të vendoset për pranimin e marrëveshjes së fajësisë dhe formën e dënimit të saj.

Ndërsa gjyqi për Mark Samson do të nisë më 12 nëntor, ku ai përballet me akuza të rënda për vrasje me paramendim, motive të kota, lidhje emocionale dhe fshehje të kufomës.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali dhe ka ndezur debat mbi dhunën në marrëdhënie dhe rolin e familjes në krimet e rënda.