Teksa kërkon largimin e qeverisë së Edi Ramës përmes protestave, ku të fundit e ka thirrur më 20 shkurt, kreu i PD, Sali Berisha u përball me kritika në Krujë për mënyrën sesi i organizon ato.
Një demokrat, i pranishëm në foltoren e Berishës, i tha kryedemokratit se protesta e fundit më 10 shkurt, ishte rrëmujë dhe kaos. Ai nuk ishte dakord me organizimin e protestës, ku disa protestues mbetën te Kryeministria, e të tjerë te godina e Parlamentit, ku dhe pati arrestime.
“Një pakënaqësi që kam, është me organizimin e protestave. E kam thënë fatmirësisht, ndryshe prej njerëzve që janë në sallë. Mirëpo, jo gjithmonë reflektohen mendimet. Pse kam kritikë? Mendoj që fjala përballë Edi Ramës ka pësuar një inflacion të jashtëzakonshëm. Fjalët pësojnë shumë shpejt inflacion, fjala me këtë regjim, thyerjen e vet të madhe e ka pasur në 2017. Nga 2017 e sot, jemi përtej inflacionit të fjalës. Ju thatë rezistencë paqësore, shumë mirë, është një formë.
Ka një rrëmujë. Isha në protestë herën e fundit, ka kaos, disa këtej e disa andej. Nëse shkojmë te parlamenti për t’i futur njerëzit tanë në një hink që ata të arrestohen, unë nuk jam dakord. Nëse duhet të bëjmë rezistencë përballë këtij regjimi, duhet t’i rrimë përballë këtij regjimi. Duhet ta gjejmë formën të nxjerrim intelektualët tanë, njerëzit tanë. Unë mendoj që të reduktojmë skenat dhe potencialin ekonomik që investojmë në ato skena, ta kemi në potencial ekonomik për të zgjeruar debatin, dialogun dhe mjetet për të qenë ne më energjikë përballë tyre“-, theksoi ai.
Demokrati shprehu shqetësim edhe për idenë e hedhur nga demokratë, që të bashkohen dega e Krujës dhe Fushë Krujës.
“Flitet për një bashkim të degëve, Krujë dhe Fushë Krujë. Unë e kam ngritur këtë shqetësim, nuk e kam në bazë të vogël, e ka një shtirje nga mbrapa. Unë mendoj se ne si demokratë duhet t’u japim besim njerëzve tonë. Duhet ta ndajmë përgjegjësinë. Ne kemi problemet tona, sa i takon burimeve njerëzore, nuk shoh energji për të bërë ndryshime të mëdha në parti. Për çdo palë zgjedhje, këtu ka një mit. Miti, më do Berisha, e kam mbyll me Berishën. Mendoj që kjo shpifësirë morale, duhet të marrë fund”-, i tha demokrati Berishës.



