Kjo është ura e re e autostradës që të çon në Lezhë. Siç dëshmojnë këto pamje, këmbët e urës janë zbuluar krejtësisht për shkak të shfrytëzimit barbar të lumit. Pamjet tregojnë se ky objekt i rëndësisë së veçantë është i rrethuar nga kompani që shfrytëzojnë male me inerte, të marra në afërsi të saj.
“Dëmtimi i shtratit të lumit praktikisht ndryshon disa parametra të rëndësishëm të rrjedhës: ndryshon shpejtësinë e rrjedhjes së lumit, ndryshon shtratin ku ai vendos dhe, nëse dëmtohet, mund të ketë efekte në brigjet e tij duke gërryer lumin edhe për gjerësi në rastet kur kemi prurje të mëdha, kur ujërat përmbysin ato brigje të lumenjve, të cilët në kushte natyrore i shohim të thata, pa rrjedhje ujore të vazhduar, dhe që mund të shkaktojë rritje të erozionit”, u shpreh Mihallaq Qirjo, profesor i Ekologjisë së Ekosistemeve.
Devijimi i rrjedhës së lumit nga gërryerjet pa kriter rrezikon ta shkatërrojë këtë urë, që është arteria kryesore e trafikut të veriut të Shqipërisë. Ajo lidh autostradën Milot-Lezhë me Shkodrën. Kambanat e alarmit për dëmtimin e urës së Shënkollit kanë rënë që në vitet 2020-2021 nga prefektura e Lezhës, e cila vë në dijeni institucionet se këmbët e urës janë zhveshur, por ende nuk ka pasur asnjë reagim.
Problematika ka qenë evidente prej disa kohësh dhe është adresuar disa herë nga institucioni i Prefektit të Qarkut Lezhë në institucionet kompetente dhe në organet ligjzbatuese, për marrjen e masave dhe goditjen e shfrytëzimit të paligjshëm të materialeve inerte në këtë zonë. Edhe tani, situata duket e përkeqësuar. Sot, pesë vite më pas, trupi i kësaj ure të rëndësishme shfaqet i dëmtuar dhe kompanitë e inerteve vijojnë shfrytëzimin barbar.
Kjo është ura e trenit në Milot, 788 metra e gjatë. Edhe këmbët e kësaj ure i ka përpirë lumi për shkak të shfrytëzimit pa kriter të inerteve ndër dekada. Prefektura e Lezhës e kishte renditur në listën e objekteve të dëmtuara dhe kishte vënë në dijeni të gjitha institucionet, por edhe këtu nuk pati asnjë ndërhyrje.
Në korrik të vitit 2025, Autoriteti Rrugor e mbylli plotësisht qarkullimin e automjeteve në këtë objekt pasi paraqiste rrezik serioz për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e kalimit, si pasojë e dëmtimeve në themelet mbështetëse, erozionit të madh në bazament dhe gërryerjeve në të gjithë shtratin lumor. Mbyllja e urës në kulmin e sezonit turistik veror shkaktoi kaos në qarkullimin e automjeteve drejt Lezhës dhe Shkodrës.
Autoriteti Rrugor hapi me urgjencë një tender për ndërhyrjen rehabilituese. Në gusht të po atij viti u shpall fituese kompania Junik me vlerë 86 milionë lekë, ose 1 milion dollarë. Ky tender është shënuar me flamur të kuq, pasi oferta fituese nuk ishte ajo me vlerën më të ulët.
Projekti parashikonte pastrimin e zonës për rreth pilotave dhe nivelimin e shtratit; betonimin e pilotave, përforcimin dhe mbrojtjen e themeleve të urës. Punimet ishin parashikuar të përfundonin brenda dy muajve, por në fillim të marsit 2026, kur Inside Story e vizitoi, puna rehabilituese ende vijonte.




