Ankesa pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi i kushtoi vendin e punës Shkëlqim Beqirajt.

Ai pretendon se është pushuar nga detyra si sekretar i përgjithshëm në Bashkinë Patos, pasi ka ngritur shqetësimin se ishte përballur me izolim dhe trajtim të pabarabartë në institucion. Në një intervistë për Top Channel ish nëpunësi i Bashkisë së Patosit hedh dyshim se ‘shkarkimi rrufe’ lidhet me denoncimin; një goditje e radhës që thotë se do të vijojë ta ndjek në rrugë ligjore.

“Menjëherë sa jam ankuar, unë jam pushuar nga puna prej kryetarit të Bashkisë, të cilën po ashtu e kam ankimuar dhe do vazhdoj për dëmshpërblim moral. Të hidhesh në mes të katër rrugëve pa një shkak, pa një arsye, normalisht do ndihesh stres…shikon vështrimet e njerëzve. Por veç diskriminimit, janë edhe mungesa e të ardhurave, familja duhet mbajtur”, tha ish-sekretari i përgjithshëm i bashkisë Patos.

Kjo sagë vështirësish për Shkëlqimin nisi pasi u mor i pandehur nga SPAK-u; ku u pezullua fillimisht në mars me vendim të Gjykatës së Posaçme për shpërdorim detyre, por në shtator u rikthye në punë pasi masa e sigurisë u shua. Pas rimarrjes së detyrës, Shkëlqimi u ankua se ishte lënë pa funksione, i përjashtuar nga mbledhjet, i izoluar nga kolegët dhe me një pagë më të ulët se vartësit e tij.

Komisioneri kundër Diskriminimit i dha të drejtë, duke konstatuar se Bashkia Patos kishte shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë, kishte cenuar dinjitetin e sekretarit të përgjithshëm dhe e kishte trajtuar atë në mënyrë diskriminuese.

“Mua më anashkaluan nga të gjitha funksionet, më hoqën zyrat, punonjësit e tjerë as nuk më flisnin në korridor. Nuk më fliste askush, nuk më raportonte askush, për mbledhjet nuk njoftohesha. Kryetari nuk pranonte ballafaqim. Nuk mund ta ndanin ata isha i fajshëm apo i pafajshëm. Jam paragjykuar pavarësisht se procesi nuk kishte përfunduar!”, u shpreh Beqiraj.

Shkëlqimi shfaqet i palëkundur në betejën ligjore. Ai quan padrejtësinë më të madhe thellimin e diskriminimit me pushimin nga puna, për të cilën ka ngritur padi kundër bashkisë së patosit.

“Javën tjetër në datë 18 kam seancë në Gjykatën Administrative të Lushnjës për pavlefshmëri absolute të pushimit nga puna, pasi nuk është respektuar procedura e jemi në kushtet e diskriminimit. Kërkoj vetëm drejtësi! Nuk mund të trajtohesha në atë formë, kur ligji edhe nëse do isha fajtor nga Gjykata, ligji për shërbimin civil e ka parashikuar si ndërpriten marrëdhëniet e punës. Të zbatohej ligji. Jam i bindur të vazhdoj deri në fund, deri sa të fitoj të drejtën në çdo instancë”, përfundon Beqiraj./ Top Channel