Kryeministri Edi Rama ka bërë publike disa nga çështjet e diskutuara gjatë mbledhjes 6-orëshe të zhvilluar sot në Pogradec me drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët e komisioneve.
Në një reagim pas takimit, Rama tha se diskutimet u përqendruan te dokumenti “Besa” dhe mënyra e komunikimit me qytetarët.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte edhe “Pasqyra Albania”, përmes së cilës, sipas kryeministrit, qytetarët do të kenë të aksesueshme institucionet dhe shërbimet e tyre.
Rama deklaroi se synimi është që në të ardhmen çdo kërkesë, shqetësim apo problem i qytetarëve drejtuar institucioneve të trajtohet në mënyrë të strukturuar dhe të ndiqet deri në përfundim, duke e krahasuar procesin me një “pako postare”.
Mbledhja në Pogradec zgjati rreth gjashtë orë dhe u zhvillua në kuadër të diskutimeve me strukturat politike dhe drejtuese në rang qarku.
“Nga Pogradeci, kur dielli po perëndon mbi liqen, aty ku Lasgushi gjente frymëzimet e veta magjepsëse dhe aty ku ne u përpoqëm të mbledhim së bashku reflektimet e një periudhe pushimesh aktive, të lidhur me sezonin e ri politik, kemi diskutuar për “Besën”, kemi diskutuar për praninë besnike; kemi diskutuar për ekosistemin e ri të komunikimit të qeverisë, jo në kuptimin thjesht të komunikimit publik, por të komunikimit me qytetarin; kemi diskutuar edhe për pasqyrën unike, “Pasqyrë Albania”, ku qytetarët do të kenë të pranishme të gjitha institucionet dhe ku ambicia është që, më herët se vonë, të arrijmë pikën që çdo kërkesë, çdo shqetësim, çdo hall i qytetarit drejtuar institucioneve të jetë si një pako postale, statusi i së cilës ndiqet në kohë reale nga dërguesi dhe, nga ana tjetër, shteti, qeveria, institucionet ndjekin përgjegjësitë dhe çdo shkelje afati shihet me lupë”, tha kryeministri.
