Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit lidhur me protestën e qytetarëve që po zhvillohet prej disa ditësh dhe që, sipas tij, ka marrë përmasa të mëdha.
Berisha është shprehur se kërkesat e protestuesve duhet të dëgjohen urgjentisht nga institucionet, duke paralajmëruar se mosreagimi do të përbënte, sipas tij, një gabim historik.
Ai ka kërkuar që në rendin e ditës së Kuvendit të futet një mocion me debat për shqyrtimin e kërkesave të protestuesve, duke theksuar se ato duhet të jenë prioritet i punës parlamentare.
“Sot shqiptarët në Shqipëri dhe në të 4 anët e botës presin nga ky parlament përgjigje të menjëhershme të kërkesave të qindra mijëra të rinjve që prej 12 ditësh janë në një protestë epike paqësore me kërkesa të drejta që nuk synojnë gjë tjetër veçse të shpëtojnë Shqipërinë nga një njeri që e konsideron vendimin si pronë të tij.
Të rinjtë shqiptarë në protestë janë 100 për qind të sinqertë, kërkojnë që me ëndrrën e tyre të bëjnë Shqipërinë,. Të mos merremi me asgjë tjetër veç plotësimin e kërkesave të tyre. Kërkoj urgjentisht mocion me debat me kreun tyre dhe në axhendë të Kuvendit të jkenë vetëm kërkesat e protestuesve.
Dëgjimi i zërit të tyre është domosdoshmëri absolute, ndryshe do të jetë vonë de do të jetë një gabim i madh historik që bëhet. Distancohuni nga Rama dhe ktheni agjendën e Parlamentit”, tha Berisha.
