Ka nisur dita e 17-të e protestës jopartiake në kryeqytet, ku qytetarët janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe ndalesën përpara Kryeministrisë, ku të rinjtë po mbajnë fjalime.
Gjatë protestës, një student i Gazetarisë u shpreh se pjesëmarrësit janë të vendosur të vijojnë qëndrimin e tyre deri në plotësimin e kërkesave. “Po të jetë nevoja do flemë te shkallët deri në dorëheqje”, tha ai.
Ndërkohë, organizatorët kanë njoftuar një ndryshim në orarin e tubimit, duke bërë me dije se nga nesër protesta do të nisë në orën 19:00.
Po ashtu, nismëtari Alben Kola ka deklaruar se sot nuk do të ketë fjalime nga pjesëmarrësit, përveç të rinjve të përfshirë në organizim.
“Protesta do të vijojë paqësore. Nuk jemi kundër partive, por kundër kryetarëve të tyre”, u shpreh Kola gjatë fjalës së tij para qytetarëve të mbledhur në shesh.
