Tubimi qytetar para Kryeministrisë vijoi për të 26-ën ditë, me të njëjtën kërkesë: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe gjithë klasës politike.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, organizatorët e protestës lexuan sërish pesë kërkesat, ndërsa në podiumin poshtë zyrës së Ramës u ngjitën edhe disa emigrantë, të cilët shprehën mbështetje për protestën.
Kërkesat:
1.Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.
2.Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3.Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:
Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4.Paralelisht, kërkojmë:
Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;
Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;
Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
5.Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
Nga sheshi u dha një mesazh edhe për shqiptarët në Kosovë e më gjerë.
Mes propozimeve për përshkallëzim, dominuan thirrjet për të vazhduar rezistencën në mënyrë paqësore.
Në ditën e 26, qytetarët nuk folën vetëm me zë. Në murin e godinës qeveritare u shfaqën të shkruara mesazhe të ndryshme, si “Shqipëria nuk është në shitje” apo “Larg duart nga zonat e mbrojtura”.
Me pankarta në duar dhe thirrjet për largim të politikës, qytetarët e mbyllën protestën e 26 me marshim nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit.
