Në ditën e 29 radhazi, qytetarët kanë filluar të grumbullohen për protestën kombëtare. Protestuesit u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”, ku më tej nisën marshimin drejt Kryeministrisë. Një prej nismëtarëve të kësaj proteste u bëri thirrje qytetarëve duke thënë: “Mes nesh ka patronazhistë që duan të nxisin dhunë. Mos bini pre e provokimeve. Mos përdorni bilbila se shqetësoni gratë me fëmijë”.
Qytetarët janë grumbulluar në orën 19:00 ashtu siç është njoftuar edhe ditë më parë për ndryshimin e orarit. Kërkesat e qytetarëve vazhdojnë të jenë po ato që nga dita e parë, duke e shoqëruar tubimin e tyre me thirrje si: “Rama n’burg, Beerisha n’burg”. Protesta që nisi pas incidenteve në kundërshtim të resortit të planifikuar për tu ndërtuar në zonën e Zvërnecit, tashmë ka marrë përmasa më të mëdha dhe qytetarët protestojnë për gjendjen ekonomike dhe sociale të vendit, për problemet me të cilat përballen në përditshmëri. Qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, por gjithashtu, edhe të të gjithë klasës politike.
