Protesta e sotme para Kryeministrisë ka devijuar nga rutina e zakonshme, pasi një banderolë me përmasa të mëdha është shpalosur në faqen ballore të Universitetit Politeknik të Tiranës.

Në banderolë shkruhej me shkronja kapitale: “Ju erdhi fundi”. Ajo nuk qëndroi për shumë gjatë e varur, pasi sipas organizatorëve të protestës, policia e ka hequr nga duart studentëve që po e mbanin në ballkon.

Në shenjë revolte, në zonë janë ndezur edhe flakadanë, duke rritur tensionet mes pjesëmarrësve.

Situata ka ndarë turmën e protestuesve para Kryeministrisë, ku një pjesë ka vijuar të qëndrojë në shesh, ndërsa të tjerë janë nisur me nxitim drejt Politeknikut në mbështetje të studentëve.

Më pas, protestuesit janë futur edhe në ambientet e Universitetit Politeknik, ndërsa situata në zonë ka vijuar të mbetet e tensionuar.