Dita e 31-të e tubimit në Tiranë është shoqëruar sërish me zhvillime dhe tensione gjatë protestës së qytetarëve.

Protesta ka nisur që në orët e para të mëngjesit, kur një grup pjesëmarrësish u mblodhën përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku janë regjistruar edhe përplasje me forcat e policisë.

Në mbrëmje, rreth orës 19:00, protestuesit janë rigrupuar në sheshin “Skënderbej” dhe më pas kanë vijuar marshimin drejt Kryeministrisë, duke ndjekur itinerarin e zakonshëm të tubimeve.

Gjatë protestës, një nga nismëtarët, Arben Kola, u ka bërë thirrje qytetarëve të veprojnë në mënyrë të pavarur, duke deklaruar se organizatorët nuk mbajnë përgjegjësi për zhvillimet në terren.

Ai është shprehur gjithashtu se, sipas tij, përplasjet e mëhershme tregojnë një tendencë për tensionim të situatës, ndërsa u ka kërkuar pjesëmarrësve të reagojnë sipas gjykimit të tyre.

Një tjetër protestues është shprehur gjatë tubimit se drejtimi i protestës nuk duhet të ndryshojë dhe se veprimet duhet të mbeten të koordinuara brenda grupit organizator, duke theksuar vazhdimin e protestës edhe në ditët në vijim.