Në kryeqytet mbahet sot dita e 33-të e protestës së paralajmëruar për orën 19:00, pas tubimit të zhvilluar paraditen e së njëjtës dite para Kuvendit, ku u shënuan tensione mes protestuesve dhe policisë.
Pas incidenteve të mëngjesit, ku pati përplasje dhe hedhje vezësh ndaj deputetëve, protestuesit janë rigrupuar sërish në sheshin kryesor të qytetit. Gjatë tubimit është diskutuar edhe për disa nga pjesëmarrësit e ndaluar gjatë ndërhyrjes së policisë.
Në këtë protestë ka folur edhe nismëtari Alben Kola, i cili u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.
“Kjo polici tregon që tani ndodhet para një dileme, t’i shërbejë mafias apo popullit. Duhet të jeni të vëmendshëm dhe mos të bini pre e provokimeve. Ne do e rrëzojmë Ramën me revolucion paqësor”, u shpreh ai.
Protesta vijon në mënyrë të organizuar në shesh, ndërsa autoritetet po ndjekin situatën pas zhvillimeve të mëparshme gjatë ditës.
